Futbolli shqiptar po degradohet përditë e më shumë. Arbitrim skandaloz i paprecedentë në historinë e kampionatit, dhunë masive brenda e jashtë fushës, rezultate të manipuluara dhe aleanca që po sjellin braktisjen masive të impianteve nga sportdashësit, një valë pakënaqësie që është e pamundur të mos evidentohet. Po ku çalon problemi dhe ku është themeli i gjërave? Pikërisht te edukimi në fëmijëri i futbollistëve dhe në hartimin e një strategjie kombëtare për futbollin, ku kërkohet një marrëveshje e madhe bashkëpunimi për të nxjerrë futbollin nga bataku ku është zhytur. Kështu mendon dhe një prej ikonave të futbollit vlonjat dhe atij kombëtar, Vasil Ruci, ish-futbollist i shquar i Flamurtarit të viteve të arta. Ruci është skeptik për zhvillimet që ndodhin, ndërsa thotë se nuk i interesojnë emrat për kreun e federatës nëse zgjedhjet në asamble përsëriten. Për të futbolli ynë është i shtrembëruar në embrion dhe ka nevojë për një zgjim të lojës sipas rregullave moderne dhe profesionalizmit, gjë që aktualisht, me këta drejtues në federatë që e kanë mendjen te biznesi, nuk bëhet. Ruci nuk lë jashtë vëmendjes as zhvillimet në ekipin kombëtar që drejtohet nga Kristian Panuçi, i cili bëri një revolucion së fundmi me emra të rinj, por që për Rucin ishin më shumë fasadë për t’u bërë qejfin lojtarëve vendas, ndërsa për trajnerin vetë tha se i pëlqente aventura.

 

Ju jeni qenë një zë kritik rreth zhvillimeve në Federatën Shqiptare të Futbollit. Nisur nga kjo, deshëm një mendim tuajin për vendimin më të fundit të Gjykatës së Tiranës që nuk e regjistroi trupën e re drejtuese të federatës dhe procesin në tërësi që u zhvillua në asamble. A është ky vendim një sinjal drejtësie për atë që ndodhi jo vetëm në asamble por në futbollin shqiptar në tërësi?

Ne, shqiptarët, jemi të çuditshëm në tërësi. Kur duam të vendosim drejtësi e bëjmë, dhe kur nuk duam nuk e bëjmë. Jemi popull i ekstremeve, përfundimisht. Megjithatë, duke mos u futur në detaje të vendimit dhe në atë që do të pasojë, mund të them se drejtësia më e mirë është më e keqe se një marrëveshje e keqe. I mëshoj këtij fakti sepse nëpërmjet një marrëveshjeje të madhe mund të zgjidhet ngërçi në këtë çështje dhe në krejt futbollin tonë. Unë gjykoj se futbolli shqiptar ka nevojë sot më shumë se kurrë për një marrëveshje që ta nxjerrë këtë sport nga bataku ku është zhytur.

Çfarë dëshironi konkretisht, cili është propozimi juaj dhe logjika e një lëvizjeje të tillë?

Logjika e kësaj pune është të gjejmë një marrëveshje ku të përfshihen të gjithë brezat e futbollit, drejtues e klube, pra të gjithë. Dhe të hartohet një marrëveshje që i hap rrugën zhvillimit profesionist të futbollit. Nuk duam më rregullore pa rregulla, ato nuk i vlejnë askujt. Kjo logjikë duhet të vijë natyrshëm me zhvillimet në praktikë. Le të marrim si shembull brezin e lojtarëve të fundit të dalë nga monizmi, pra sistemi i kaluar. Janë Skela e të tjerë, të cilët u prodhuan si futbollistë fëmijë nga sistemi i shkuar por arritën të çanin jashtë, duke luajtur në kampionate elitare. Sot nuk kemi futbollistë që kapin nivelin e skuadrës kombëtare. Ç’bëhet kështu? Lojtarët e djeshëm shiteshin dhe çanin, pra kishin cilësi, kurse sot jo. A duhet të na shqetësojë kjo ne? Unë mendoj se ky, edhe pse në dukje një problem i thjeshtë, ka domethënie për një fenomen që po e gërryen futbollin tonë: edukimin e keq të futbollistëve të rinj. Këta drejtues e kanë mendjen te stadiumet, por ne ajo që na shqetëson më shumë është edukimi i munguar i futbollistëve të vegjël. Po të shikosh me vëmendje, lojtarët e rinj tregojnë diçka deri në moshën 17 vjeç, pastaj humbasin. Pse? Janë të traumatizuar. Nga njëra anë prej prindërve, më pas nga trajneri, klubi e deri te tifozi. Sa kohë ne nuk edukojmë futbollistë, nuk kemi kurrfarë të ardhmeje. Ne po i dëmtojmë futbollistët në një moshë fare të vogël, sepse ambienti rrethues dhe strategjia për të prodhuar lojtarë të mirë nuk është frytdhënës, për të mos thënë se është dëmtues.

Është një fakt i pamohuar që futbolli ynë ka mbi 15 vjet që nuk prodhon një lojtar për Kombëtaren dhe kjo e forcon argumentin tuaj.

Pikërisht, u bë një kohë e gjatë që klubet nuk prodhojnë lojtarë cilësorë dhe brezi i fundit ishin fëmijët e dalë nga klubet e monizmit. Kjo është tragjedi për futbollin e një vendi. Nuk ka asnjë platformë zhvillimi serioz, prandaj i mëshova faktit që të ketë një marrëveshje të madhe gjithpërfshirëse, që zhvillimi i futbollit të kapet nga embrioni.

Megjithatë, Fino ka lënë të kuptuar që zgjedhjet do të ribëhen dhe ai do të kandidojë sërish për president. Një garë Fino-Duka, sërish ata, a nuk është e tepërt për shpatullat e futbollit tonë?

Për mua s’ka rëndësi kush garon, nuk kanë kurrfarë rëndësie emrat. Futbolli ynë do të ndryshojë vetëm atëherë kur të jetë krijuar marrëveshja që unë përmenda më sipër. Mund të ketë një marrëveshje të heshtur, le të jetë edhe e tillë, por pa kompromis nuk mund të kemi zhvillim cilësor të futbollit dhe zgjedhje të situatave. Pse i mëshoj kësaj ideje? Sepse zgjidhja nuk vjen ndryshe dhe kështu si kanë shkuar gjërat është mjaft e vështirë. Por edhe situata ku ndodhet futbolli ynë sot nuk është e duhura. Duhet të pranojmë se futbolli ynë është i zhytur në batak. Mjafton të shohësh dhunën, arbitrimet, zhvillimet pa sens që ndodhin etj, për të kuptuar situatën e rëndë. Nxitja vjen nga faktorë të ndryshëm dhe ne e dimë këtë. A do ta bëjë marrëveshja që unë kërkoj më profesionist futbollin tonë? Sigurisht që po, sepse në fund të fundit gjithçka duhet të nisë nga besimi. Duhet të krijojmë besim për garën, ky është themeli në futboll, që të ketë garë të ndershme e cilësi sportive. Gjërat deri tani qëndrojnë në dorën e një njeriu në krye të federatës, kjo është e papranueshme dhe tërësisht e gabuar për një futboll me të ardhme e profesionist. I kushtojmë rëndësi vetëm ekipit kombëtar, por jo kampionatit që do të shërbejë gjithmonë si bazë për ekipet kombëtare. Unë vazhdimisht kam përmendur për krahasim Anglinë. Ka mbi 50 vjet që nuk fiton trofe të madh ndërkombëtar, por stadiumet në Angli janë plot. Pse? Sepse futbolli atje është pasion, është cilësi, është besim. Këto janë shtyllat e lojës dhe këto shtylla i mungojnë futbollit tonë.

UEFA mori një vendim penalizues të rëndë për Skënderbeun, 10 vjet jashtë Europës. Përtej ngjyrimeve të rastit dhe qëndrimeve të palëve, a besoni se UEFA ka bërë drejtësi në këtë rast?

Nuk desha ta komentoj këtë ngjarje, nuk dua të ngatërrohem në këtë histori. Por mund të them me dy fjalë që vendimi i UEFA-s do të gjykohet në shkallët e ndryshme të procesit gjyqësor, kurse për Skënderbeun e ka në ndërgjegjen e tij. Pra, në këtë histori ka dy terma që mund të përdoren: drejtësi dhe ndërgjegje.

A do të ndikojë ky vendim në futbollin shqiptar, në imazhin e tij?

Natyrisht që po, kjo është një humbje e madhe për futbollin shqiptar, një dëm i rëndë. Askush nuk dëshiron që një skuadër e vendit të tij të penalizohet për një fenomen të tillë, e vuan imazhi i vendit.

Duke parë situatën në kampionat, a nuk duket se çdo gjë vjen si një kurdisje e madhe?

Për mua situata nuk është pozitive, ka mjaft mangësi futbolli ynë dhe mangësitë janë që në themel, e thamë këtë më sipër, por po vazhdoi kështu nuk i kemi gjërat në vijë. Këtu është krijuar ideja që po pate mik në federatë mund të shkosh deri në Europa League, pse jo del dhe kampion. Pse, futboll është ky?

Deshëm një mendim edhe për zhvillimet në Kombëtare. Patëm një ndeshje miqësore me Norvegjinë që e humbëm. Më shumë se humbja nga kjo ndeshje mund të evidentojmë faktin se loja ishte katastrofë. Dakord, ishte miqësore dhe trajneri eksperimenton. Por, përtej kësaj, a ishte kjo ndeshja ku Panuçi tregoi mungesë ekuilibri në idetë e tij taktike?

Në Kombëtare janë aplikuar kohët e fundit dy filozofi, ajo e De Biazit dhe ajo e Panuçit, që janë të ndryshme nga njëra-tjetra. Unë konstatoj se Panuçi ka filozofinë e tij dhe e dëshiron krijimin e një trendi të ri të ndryshëm nga De Biazi. Në këtë rast Panuçi është aventurier, i ndryshëm nga De Biazi që kishte në filozofinë e tij lojën në grup. Pra, de Biazi ishte pragmatist, ndërsa Panuçi vuan nga deliri, dëshiron të ketë diçka më shumë dhe u hyn aventurave. Por i ka bërë llogaritë gabim, sepse filozofia që po ndjek Panuçi kërkon të paktën dy-tre lojtarë të nivelit shumë të lartë. Ose të paktën një sulmues të spikatur. Siç ka, fjala vjen Polonia, Levandovskin. Që të hysh në aventurë kërkohen lojtarë lider, që zgjidhin ndeshjen, por Panuçi nuk i ka këta elementë. De Biazi ishte pragmatist dhe bazohej nën lojën në grup, një filozofi më efikase pasi lojtarët janë të nivelit deri në mesatar, kurse Panuçi u hodh në aventurë pa pasur lojtarët lider. Elementët që ka sot Kombëtarja jonë nuk i përmbushin këto kritere, ne na mungon më së pari një bomber i mirëfilltë, na mungon njeriu-gol.

Gjithsesi, ai solli shumë të rinj, madje për herë të parë edhe lojtarë nga kampionati. A është kjo lëvizje një kthim vëmendjeje nga kampionati shqiptar?

Unë shkurtimisht për këtë mund të them se Kombëtarja ka një grup lojtarësh që janë baza, kurse këto afrimet e fundit ishin fasada, e cila shërben për t’u bërë qejfin jo vetëm lojtarëve, por edhe klubeve të tyre. Asgjë më shumë. Siç thashë, një Kombëtare që hidhet në aventurë kërkon si domosdoshmëri lojtarë të nivelit të lartë, pra lider, por Kombëtarja jonë nuk e ka sot për sot këtë kontigjent./gazeta sot/